July 17, 2015

Hakerat serbë i vendosin flamurin e Serbisë boksierit Nuri Seferi



Hakerat serbë kanë vjedhur profilin e Facebook­ut të boksierit shqiptar nga Gostivari por me famë botërore, Nuri Seferi dhe kanë vendosur në të foto të flamurit serb dhe flamurit shqiptar duke u djegur.

Në murin e profilit të Seferit ata kanë shkruar në serbisht: “Kosova është Serbi. Ju jeni skllevërit tanë, Serbia superfuqi”.

Seferi është kampion Europe në boks dhe jeton në Zvicër.

*    *    *

July 15, 2015

Migjeni: Pasioni për muzikën dhe vargjet për Zonjushën B.




Nga Alda Bardhyli

Poeti në kujtimet e së motrës Olga. Ditët e fundit në sanatoriumin “Ospedale Valdese” në Torino … dhe poezia për Bojkën

Ajo quhej Bojka. Përtej dritares në dhomën e sanatoriumit “Ospedale Valdese” në Torino, Migjeni shihte kopshtin e mbushur plot blerim. Në mendjen e tij orvatej imazhi i Bojkës, vajzës shkodrane që ia kishte rrëmbyer zemrën. Sa bukur do të ishte sikur sëmundja t’i lironte disi fuqitë dhe ajo të shfaqej aty në stolin e vetmuar në kopsht. Do të humbnin në shëtitje deri në mesnatë, duke folur për kohët larg njëri-tjetrit. Këto mendime vinin çdo çast në mendjen e djaloshit teksa luftonte me sëmundjen në këtë sanatorium. “Ik! Ik, moj flutur se do të digjesh! Se ke me ra në gyp të llambës dhe me flakët e saj ke me u djegë. Por flutura sdëgjon, sillet, sillet e sillet. Dhe me atë të sjellun për gyp, largohet, shkrepet, rrotullohet rreth llambës dhjetë herë për mi shkrepë …”, shkruan ai në një nga shënimet e mbajtura gjatë atyre ditëve. Bojka duhet të ishte në shtëpinë e saj në Shkodër, me mendjen nga i dashuri që po luftonte me sëmundjen. Ndjesitë për të, Migjeni i ka lënë në disa vargje për dashurinë, por një prej poezive të cilën ai ia dedikon asaj, është ajo me titullin për Z. B. (Zonjushë Bojka). 

“… Zojushë, q’at buzmramje
unë andrroj me andje
dhe me një dashni të pastër
ata dy sy tuej të kaltër
që m’u falnë letë
me një shikim diskret”

shkruan ai në vargjet e fundit të kësaj poezie. Mbërritjen në Torino poeti i ri shqiptar nuk e kishte parë thjesht si një mënyrë për të kuruar më mirë sëmundjen, por dhe si një mundësi për të ndjekur studimet për letërsi. Prej kohësh ai e ndiente se lidhja e tij me letrat ishte po aq e fortë sa një dashuri. Ai nuk mund të rrinte asnjë ditë pa shkruar. Këtë e tregojnë dhe shënimet e hedhura mbi letër gjatë kohës që ishte në sanatorium. Ato vijnë sot si një dëshmi e jetës së një prej personazheve më të mira të letrave shqipe, mendimet e tij për njerëzit e afërm dhe idetë që e shoqëronin. “Ka kohë që më sillet ndër tru mendimi të marr shënime në shtëpinë e të dëshpëruarve, në sanatorium. Sot, më tepër se kurrë, m’asht dukë kjo banesë shtëpi e dëshpruemve, mbasi nuk ndihesha mirë fizikisht, e kur nuk ndihem mirë fizikisht, vuej dy herë më tepër shpirtnisht. Mbasi e diela erdhën Olga, Arta T., dhe Antim K. Biseduam mbi temën e ditës: politikën, mandej mbi mizat e ngordhura nëpër tokë nga formalina. Në kurriz të politikës së ditës dhe në kurriz të mizave të ngordhura e bamë pak gaz e humor. Kur shkuen këta, ndihesha ma mirë, dhe në darkë ngana mjaft mirë”, shkruan Migjeni në shënimet e 15 majit 1938. 

Sipas kujtimeve të Olgës, së motrës, e cila në atë kohë ishte studente në Universitetin e Torinos, shokët nuk iu gjetën pranë në atë periudhë të vështirë. “Dëshirën që t’i hapte zemrën dikujt e kish të madhe, se gjithnjë pyeste se cilët nga studentët shqiptarë kishin mbetur në Torino gjatë verës … Atëherë u mbyll në vetvete dhe priti çastin e kobshëm, natën e 26 gushtit 1938 kur iu bashkua ajrit të mbrëmjes për të ikur përgjithmonë larg”, kujton Olga. Vdekja e Migjenit do të përcillej dhe në shtypin italian. Skënder Luarasi, i cili është marrë me studimin e jetës së Migjenit, e përshkruan kështu atë çast: “Vallë ç’ëndërr të bukur do të ketë parë atë çast të fundit, kur e ‘shoi si në gjumë’? Jetën ia kemi hua natyrës, kush e ka përdorur si duhet këtë kapital më të çmuar të njeriut, nuk ka pse t’i trembet vdekjes; le të vijë kur të vijë”. 

Por Migjeni ishte vetëm 27 vjeç. Asnjë telegram ngushëllimi, e asnjë shkrim nuk mund të zbusë trishtimin për një jetë të lënë në gjysmë aq shpejt. Kur mbërriti në Torino, ai as që e mendonte se nuk do të kthehej më pas … E vetmja gjë që ëndërronte ishte universiteti, shkrimi i vargjeve dhe kthimi te Bojka … Vajza, portreti i së cilës mbeti gjithnjë në dorë të imagjinatës, për shkak të familjes tjetër që krijoi, ishte frymëzimi më i bukur për Migjenin. Gjithë trishtimin e kësaj ikjeje ajo e shprehu në letrat që i dërgoi së motrës së Migjenit, Olgës. Bojka u nda nga jeta në Tiranë më 1991. Ka shumë pak detaje nga jeta e Migjenit, kjo dhe për shkak të viteve kur jetoi e jetës së shkurtër. Por çdo lexues i vargjeve apo i prozës së tij të shkurtër, do të donte të dinte diçka më tepër për njeriun brenda atyre vargjeve, i cili është aq modern edhe sot. E motra, Olga Nikolla, është e vetmja që ka mundur të bëjë të plotë tipare të karakterit të tij, ndoshta dhe për faktin se ishte e vetmja që i qëndroi pranë në ditët e fundit. Ajo ishte studente në Fakultetin e Shkencave Ekzakte, dega Fizikë në Universitetin e Torinos. Në letrat që do të botojmë më poshtë, përshkrimi që ajo i bën atij, të sjell ndërmend një djalosh të lidhur fort pas arteve dhe jetës së kohës. I pëlqente muzika, sportet, kinemaja dhe fitonte gjithnjë në shah. 

Një tjetër letër është e Theofan Popës, shok i tij në shkollën e mesme teologjike në Manastir. Dhe ai nënvizon pasionin e poetit për këngën, sesi këndonin gjatë nën dritën e hënës. Ky është Migjeni, djaloshi që e deshi aq shumë jetën dhe shkroi aq qartë e me vërtetësi vargje që ende dhembin sot …

A.B.

Letrat



Migjenit i pëlqente të këndonte …

“Milloshit i pëlqente shumë të lexonte. Kohën e lirë e shkonte gjithnjë me libër në dorë. Milloshit i pëlqente edhe sporti. Dinte të bënte not shumë mirë. Notin e kish mësuar në detin e Tivarit, ku kaloi dy vjet te motra jonë më e madhe Lenka, ku ndiqte mësimet në gjimnaz. Në Shkodër, kur vinte për pushimet e verës, shkonte herë-herë me shokë tek ura e Mesit në Shirokë, të lahej. Një tjetër sport, me të cilin merrej Milloshi, qe futbolli. Këtë lojë e kishte nisur në Manastir, dhe kur vinte në Shkodër shkonte me shokët të lozte te Zalli i Kirit. Milloshit i pëlqente veçanërisht muzika. I binte mandolinës. Në shtëpi këndonte kurdoherë. Kënga e tij e preferuar ka qenë ‘Vjeccerni zvon’ (Zëri i natës). Këtë e këndonte rusisht dhe kërkonte ta shoqëronim edhe ne motrat. Këndonte me andje edhe ‘Serenatën e Shubertit’. Ndiente gëzim të madh kur dëgjonte këngë korale. Korin rus e admironte dhe shprehte mendimin për ndjenjat që i ngjallnin. Kishte vesh të mirë muzike dhe zë shumë të bukur … Ne shpesh i luteshim të na këndonte. Milloshi e ndiqte shumë kinemanë, të vetmin institucion kulturor në Shqipëri në atë kohë. Filmin e komentonte shumë duke e sqaruar deri në fund. I njihte regjisorët dhe artistët dhe prej emrave të tyre gjykonte filmin që më parë. Nga artistët më shumë donte Çarli Çaplin dhe Greta Garbo. Milloshi dinte të lozte mirë shah. Në lojë qëndronte gjithnjë i qetë, me gaz në buzë, dhe fishkëllente ndonjë këngë. Nuk pinte alkool dhe duhan. Kur ish i ri, në shkollë qëndronte në krye të shoqatave që organizoheshin kundër pijes së duhanit.



Olga

Ditët e fundit në Torino

“Më 1932, mbasi mbaroi seminarin e Bitolit, im vëlla, Milloshi, njëzet vjeç, u kthye në Shkodër. Megjithëse ka qenë gjithmonë delikat, këtë mot dukej shumë më mirë se kurdoherë. Menjëherë kërkoi bursë për të vazhduar mësimet, por nuk i dhanë. Vetëm pas dhjetë muajve, kur u shtetëzuan shkollat, e dërguan mësues në Vrakë, 7 km larg Shkodrës. Udhën për në fshat shtrëngohej ta bënte çdo ditë me biçikletë në shi e në vapë, dhe me atë pak ushqim që merrte me vete për drekë. Kur e njohën mirë banorët e Vrakës nisën ta duan e ta nderojnë, por strapacat e mëdha që hoqi muajt e parë ia zgjuan sëmundjen e mushkërive. Gjithë përpjekjet që t’ia priste hovin me transferimin e tij nga një fshat malarik në Shkodër, në një vend malor si Puka, ku shërbeu më 1936-1937, nuk i sollën dobi. Në verën e vitit 1935, mjekët e Tiranës e këshilluan të shtrohej në ndonjë sanatorium. Për në Golnikë nuk i dhanë pasaportë dhe në Athinë për mungesë ekonomike nuk ndenji vetëm një muaj. Më 22 dhjetor 1937 erdhi në Torino. Dëshironte që të regjistrohej në Fakultetin e Letërsisë dhe t’i binte pas shëndetit. Pasi dokumentet shkollore iu kthyen nga Tirana të palegalizuara, regjistrimin nuk mundi ta bëjë. Por kjo e keqe nuk e preokupoi kaq shumë sa ajo tjetra. Në klimën e fortë të Torinos sëmundja e tij mori hov. Mjekët e këshilluan të shtrohej në sanatorium. E vendosën në sanatoriumin ‘San Luigji’ afër Torinos. Këtu në fillim u duk sikur po shërohej. Të gjithë ia thoshin këtë. Edhe ai vetë sikur e ndiente përmirësimin. Kur e vizitonin shokët të dielave ishte i gëzuar dhe i priste me padurim. Por ky përmirësim nuk zgjati shumë. Filloi të ndihej keq. Mjekët i propozuan një operacion të vogël. Milloshi pranoi dhe operacioni u bë në qershor. Efekti qe fatal. Iu pre oreksi, humbi fuqinë dhe humorin e tij tërheqës. Besonte se po të transferohej në ndonjë sanatorium malor do të bëhej më mirë. Mezi i siguruam një vend në Ospedale Valdese në Tole Pelicce afër Torinos, për ku e shoqëruam më 12 gusht. Milloshit i pëlqeu shumë ky vend dhe tha se do të dilte të shëtiste sapo të çlodhej nga udhëtimi. Por nuk e shëtiti kurrë … Për dy ditë mundi të dilte nga pak në kopshtin e sanatoriumit, të tretën pati një krizë aq të fortë sa kërkoi oksigjen. Dy javët e tjera ndenji në shtrat pa lëvizur, me pak ose aspak ushqim, duke folur për herë e më rrallë, krejt i ndërgjegjshëm për çka po ndodhte me të …”

Olga Nikolla

5 shkurt 1956


Studenti

I pëlqente vetmia

“Qysh në gjimnaz, kur isha akoma i vogël, e simpatizoja fytyrën e ëmbël e buzagaz të Milloshit. Kjo ndofta vinte nga përkëdheljet që na tregonte ai ne të vegjëlve. Më vonë fillova të piqesha me të më shpesh në korin e seminarit. Mbasi Milloshi kishte një zë të ëmbël e lirik tenori, merrte pjesë në kor si një nga anëtarët më të mirë të tenorit të parë. Unë këndoja si tenor i dytë. Aty pata rast të bisedoja më shpesh me të, ta kuptoja më mirë e ta çmoja më shumë.

Milloshi dallohej si një nga nxënësit më të zotë e më seriozë të shkollës sonë. E karakterizonte një inteligjencë e hollë e përsosur. Në të gjitha mbledhjet dhe konferencat letrare të seminarit shquhej si një talent i fuqishëm e i pasur. Atë nuk e interesonte vetëm teologjia, ku dhe aty dallohej si një nga nxënësit e fortë, por gjithashtu edhe arti letrar, muzika dhe sidomos problemet shoqërore. Kurdo që shfaqej ndonjë çështje për mbrojtjen e së drejtës, në çfarëdo lënde qoftë, Milloshi shpërthente me shprehjet e tij të zjarrta plot shpirt. Më kujtohet shpeshherë kur fliste në konferencë. Ai dukej si një flakë që digjesh për të drejtën njerëzore. Ajo që e bënte Milloshin të simpatizohej e të çmohej nga shokët e tij nuk ishte vetëm talenti i fuqishëm, plot shkëlqim, por edhe sjellja e tij e urtë në raste të zakonshme e të veçanta. Milloshi nuk merresh me sende të vogla e pa rëndësi. Dhe sidomos urrente ngatërresat e grindjet e kota për çështje të parëndësishme. Kur shihte se ndodhte ndonjë gjë e tillë ndër shokët skuqej, zemërohej dhe largohej në vetmi. Shpeshherë ia kish anda vetminë. Duke qenë fisnik në shpirt e urrente brutalitetin dhe këtë e shprehte në shumë raste, duke qortuar ata shokë, të cilët silleshin keq. Në sallën madhështore të shkollës sonë, gjatë festave organizoheshin ballo, nga nxënësit e nxënëset e shkollave të mesme. Këto ballo ishin gëzimi i nxënësve. Në to natyrisht merrte pjesë edhe Milloshi. Sjellja e tij ishte kurdoherë e matur e me një elegancë natyrore. Kur shoqërohej me vajzat, ai vetë dukej si një vajzë ndërmjet tyre, se kur fliste ai skuqej më tepër se ato. Në këto raste kuptohej mirë se ai e çmonte shumë seksin femëror dhe shihte tek ato diçka të lartë e më fisnike se te djemtë.

Milloshit i pasqyrohej shpirti i tij artistik edhe në paraqitjen e jashtme. Pastërtia, simetria dhe thjeshtësia e veshjes së tij, jepnin të kuptoje se kishe të bëje me një shpirt elegant.

Një verë, konviktorët e shkollës i çuan në manastirin Vrajcin midis Bjeshkëve gjigante të Peristerit e liqenit të Prespës.

Në këtë vend piktoresk me pyje, përrenj, e liqene kisha kënaqësinë të shoqërohesha me Milloshin. Na bashkonte më tepër kënga. Shpesh këndonte me gjithë shokët, por ndonjëherë ai dhe unë, ai si tenori i parë dhe unë si i dytë. Këndonim shqip, serbisht, rusisht shpeshherë nën dritën e hënës, në atë natyrë tërheqëse. Nga ato shqip kishte më për zemër këngën ‘Nën hijet e hënës rrije’. Kur këndonte ndiente gëzim të madh. Por i pëlqenin shumë edhe pjesët e mira të muzikës kishtare.

Në përgjithësi kënga për të ishte çlodhje dhe gjente në të një kënaqësi të madhe shpirtërore. Disa vjet më vonë, kur u ktheva nga studimet prej Athinës, dëgjova për një poet të ri shqiptar me emrin Migjeni, madje kisha lexuar dhe disa vjersha të tij, por nuk e dija se ky Migjeni ishte Milloshi ynë. Kur e mora vesh, u interesova shumë për gjithë veprën e tij dhe më vonë, kur u botuan vargjet e lira, i bleva dhe i ruaj me dashuri e mall të jashtëzakonshëm. Milloshi para meje qëndron si një hero i moralit dhe i së drejtës njerëzore, e si i tillë do të jetë i paharrueshëm në kujtesën e zemrën time.

Theofan Popa
(Student me Migjenin në shkollën e mesme teologjike të Manastirit)




*     *     *

NJË “BALLIST” QË DUA TA PUTH NË BALLË!



   Nga Arben Manaj

Intervista në Top Media me drone-menin “Ballist” Morina, ka ngjallur edhe njëherë debatin e stisur të një pakice pseudokozmopolite, kryesisht në Tiranë, që duan të vulgarizojnë një gjest që vullkanizoi shpirtin kombëtarist mbarëshqiptar, gjatë dhe pas ndeshjes, të fituar tashmë aforfe, në Beograd.

Vetë dilema, a është hero apo aventurier “Ballisti” i Beogradit, është fyese për një “ballist” nga Kukësi faktikisht, të cilit me mllef i kujtojnë se ka qenë vinçier në Itali, a thua se të gjithë shqiptarët nëpër botë punojnë vetëm për BBC apo ndonjë bankë, e nuk bëjnë punë të rëndomta nga halli më shumë, por të ndershme në shumicën e tyre.

Ismail Morina, siç edhe rrëfeu në intervistën me Shakon, bëri aq sa bëri në Beograd, duke marrë përsipër një risk shumë të madh mbi vete, madje qindfish me heroizmin e atyre që ishin pjesë e delegacionit qeveritar, qofshin edhe gazetarë, e që ishin të mbrojtur, si pjesë e delegacionit, nga “brisku” i Serbisë.

Jam i bindur se të gjithë, nga atë të paktët shqiptarë që ishin në stadiumin e Beogradit atë natë, tërë pasurinë që kanë krijuar këto vite demokracie, do e jepnin sikur t’u kërkohej si shpërblim që të mos dilnin nga stadiumi, pa u eskortuar nga forcat speciale serbe.

E ta vësh këtë në kontekstin e asaj që thotë “Ballist” Morina, se iu desh të fshihej nëpër ferra për orë të tëra për të mos u pikasur, e për më tepër të ironizosh si “kofini pas të vjelit”, trimërinë e gjestit të tij, është më tepër se burracake.

Unë jam nga ata shqiptarë të shumtë, që kur pashë atë flamur apo simbol të ngritur mbi stadium, më shkoi adrenalina në nivele që kurrë nuk e kisha përjetuar, madje edhe atëherë kur jam sulmuar personalisht bashkë me djalin tim të vogël në atë botë në Kretë, kur edhe pse punoja si gazetar i BBC-së dhe isha në tribunën e medias, jam sulmuar dhe dhunuar fizikisht nga huliganët grekë që terrorizuan tërë shqiptarët dhe kombëtaren e Igli Tares e Alban Bushit.

Jam i bindur se edhe ata që e ironizojnë sot trimërinë e pashoq të “Ballistit” Morina, qoftë edhe nga ata që kanë qenë në shkallët e stadiumit të Beogradit, do të kenë pasur të njëjtin nivel adrenaline të tipit “çfarë ere mban gjaku”, ndoshta edhe prej frikës se çfarë mund t’u ndodhte prej saj.

Ky shqiptar i thjeshtë, atdhedashës, nuk është aventurier dhe as turp i kombit, i cili madje për turpin e paditësit, është paditur për terrorizëm nga ndonjë atdhetar i madh që e lidhte Ballistin me agjenturën serbe (dhe historia e lidhjeve konspirative të kohës së Xhaxhit nuk na shqitet ne shqiptarëve edhe pas 30 e kusur vjetësh).

Ismail Morina, që dua ta puth në ballë, siç do të donin ta puthnin në ballë serbët, edhe ata më të sofistikuarit Ivanin e tyre huligan, për arsye dhe motive krejt të ndryshme nga të miat, në fakt, është i pakrahasueshëm me atë që bëri për kombin e vet me atë që bëjnë soji i antiheronjve të huliganizmit sportiv serb.

“Ballisti” Morina, padyshim që provokoi, por nuk kishte të shkruar në flamurin e tij kërkesën për therjen dhe zhdukjen e serbëve, siç bënin në kor tifozët serbë për ne shqiptarët si komb.

Kultura dhe vetëpërmbajtja serbe e të gjitha niveleve, që nga ajo e qytetarit të thjeshtë e deri tek e qytetarit numër 1 të atij vendi, nuk arritën të mbizotëronin mbi urrejtjen antishqiptare serbe, të demonstruar në stadium e jashtë tij, për javë, e pse jo, muaj të tërë.

Gjesti i “Ballistit” Morina ishte thjesht një element zgjuarsie par excellence, shumë e rafinuar dhe e gjetur, që zor se serbët do të mund ta replikojnë në Shkodër.

Ismail Morina është boll i rrezikuar sot e kësaj dite fizikisht, edhe nga agjentura serbe, e për këtë të mos keni dyshim.

Ky njeri, që për mua është hero, si për shumicën e shqiptarëve, do të duhet mbrojtur seriozisht nga shteti ynë për një kohë shumë të gjatë.

E siç sugjeronte një lexues online i një blogu të njohur, për të duhet hapur një llogari bankare e tërë shqiptarët do të duhet të kontribuojnë që ai ta ketë më të lehtë jetën në ilegalitet.

Ismail Morina, këtë “ballist” kuksian, që do të doja ta puthja në ballë, të parin dhe të fundit ballist në fakt, siç e asocion pafajshmërisht ky llagap, nga ata të kohës së luftës partizane, nuk pretendon se është as Ismail Qemali dhe Isa Boletini, e as ndonjë tjetër që ka bërë ndonjë akt të admirueshëm atdhetarie në historinë e kombit.

Por një gjë është e sigurt, përtej xhelozisë dhe kozmopolitanizmit të pështirosur dhe “sans frontier” të elitave opinionbërëse të Tiranës, se ky djalë që rrezikoi aq shumë fizikisht dhe do të duhet të imagjinoni se çfarë do i kishin bërë serbët po ta kapnin të gjallë atë natë ferri, kur të ndërrojë jetë si të gjithë ne, me siguri nuk do të prehet në varrezat e dëshmorëve, por në kujtesën e shqiptarëve është i skalitur dhe do të mbahet mend tërë jetën, si djali i dronit në Beograd.

Ai do të jetë më i paharruar, në të gjallë e në të vdekur, se shumica e atyre që e adhurojnë apo e urrejnë atë, qofshin shqiptarë apo antishqiptarë, sa herë të kujtohet ajo ndeshje e papërsëritshme në Beograd.

Këtë e them me të njëjtën siguri, si të asaj të ardhjes së çdo dite, pas çdo nate./shqip


*     *     *






July 14, 2015

Rrëfimi i “Ballistit” çmend mediat serbe


Ismail Morina (Ballisti), pushton përsëri mediat serbe. Kësaj radhe ka qenë portali i njohur “Telegraf.rs”, ai që i ka dhënë vëmendje të madhe rrëfimit të plotë të Ballistit, që tregoi për “Digitalb” mbrëmjen e dronit në Beograd. 

“Njeriu që lëshoi dronin në ndeshjen Serbi-Shqipëri: “Bëra vetëm një gabim”, është titulli i “Telegraf.rs”.


“Ismail Morina, i cili mori përgjegjësinë për hedhjen e dronit që shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri, tha në një intervistë se bëri gabim duke ia lëshuar flamurin futbollistëve serb, si dhe zbuloi që atë dëshironte ta lëshonte gjatë Himnit”.



*    *    *